Nga Musa Kurtulaj
Një dukuri që po përsëritet me ritme gjithnjë e më të larta në mjediset publike, sidomos gjatë verës, është ajo e koncerteve që organizohen nga strukturat kulturore te pushtetit vendor, shoqatat kulturore apo biznese lokale me qëllimin e mirë për të sjellë argëtim dhe kulturë për qytetarët. Por gjithçka zbehet në një format të përsëritur dhe të njëjtë: koncerti që fillon si ngjarje artistike dhe përfundon si dasmë publike!
Në dukje, skena është premtuese: postera me këngëtarë të njohur, muzikantë të ftuar, një program i shpallur si “koncert festiv”. Por vetëm pak minuta pas nisjes, realiteti ndryshon. Vallëzimi masiv nis, çdo këngë kthehet në sfond për valle, secili artist këndon 20-30 minuta pa pushim, publiku nuk ndalon së kërcyeri, dhe atmosfera mbetet e pandryshuar për orë të tëra si në një dasmë klasike shqiptare.
A është kjo normale? Për një vend me traditë të fortë të muzikës popullore dhe ritmit festiv, mund të duket e pranueshme. Ne jemi emocionalë, të lidhur me muzikën që frymëzon kërcim dhe gëzim. Por problemi lind kur ky format bëhet standardi i vetëm dhe gjithçka tjetër, nga zhanret e ndryshme muzikore deri tek vetë koncepti i koncertit, shtyhen në harresë.
Muzika vetëm për kërcim? Humbet diversiteti artistik! Kur koncerti trajtohet si dasmë, këndimi për dëgjim zëvendësohet me muzikë për konsum të çastit. Këngëtarët përzgjidhen në bazë të aftësisë për të ndezur turmën, jo për larmishmërinë muzikore. Muzika e qetë, introspektive, urbane, eksperimentale mbetet jashtë.
Në këtë mënyrë, koncerti nuk është më një hapësirë për përjetim artistik, por vetëm për kërcim masiv. Kjo jo vetëm që cenon seriozitetin e eventeve publike, por edhe i vë artistët përballë një presioni për të “kënduar për dasmë”, edhe nëse nuk janë pergatitur për atë skenë. Në fund, nuk i shërben as artit, as publikut.
Këto “koncerte-dasma” janë shpesh falas, të hapura për të gjithë, dhe ky është një vlerësim i rëndësishëm për aksesin në kulturë. Por kur mungon kurimi, kur mungon tematika, kur mungon diversiteti, atëherë edhe ngjarja kulturore e humb kuptimin e saj. Argëtimi nuk duhet të përjashtojë përjetimin. Muzika shqiptare ka shumë për të ofruar: jo vetëm ritëm për valle, por edhe tinguj që tregojnë histori, evokojnë ndjenja dhe shtyjnë për reflektim.
Koha për të rikonceptuar koncertet publike
Kjo nuk është një thirrje për t’i ndaluar kërcimet apo për të minimizuar këngët festive, por është një thirrje për balancë, për të krijuar hapësira të ndryshme artistike, për të organizuar netë me tematika specifike, për të ftuar artistë që sjellin frymë të re jo vetëm muzikë dasme. Nëse çdo koncert kthehet në një dasmë publike që zgjat 3-4 orë, atëherë muzika shqiptare rrezikon të ngecë në një format të vetmuar, që s’mund të mbajë peshën e gjithë pasurisë së saj.
