Vllaznia zhvilloi në “Loro Boriçi” testin e fundit miqësor para fillimit të sezonit të ri sportiv. Kundërshtari i radhës për kuqeblutë ishte Besa e Kavajës, sfidë që u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të miqve.
Ndeshja ishte e balancuar me raste për të dyja palët, por Besa u tregua më e saktë në finalizim duke realizuar dy herë, ndërsa kuqeblutë shënuan vetëm një gol me autor Qaton. Për trajnerët, kjo sfidë shërbeu për të testuar gjendjen fizike të lojtarëve, prurjet e reja dhe formacionet që do të përdoren në kampionat.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, nuk preferoi të prononcohej për mediat, ndërsa tekniku i Besës, Emiliano Çela, u shpreh se rezultati nuk ka shumë rëndësi në këto miqësore, duke vlerësuar gjithashtu potencialin e Vllaznisë si skuadër konkuruese.
Kuqeblutë do të zbresin në fushë për ndeshjen e parë të kampionatit më 22 gusht, ora 20:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, përballë Egnatias kampione.
