16 gushti është një ditë e veçantë për banorët e Shirokës, të cilët si çdo vit kremtojnë festën e Shën Rrokut, shenjtit që njihet si simbol i së mirës dhe i sakrificës. Pikërisht prej tij mendohet se ka marrë emrin edhe vetë Shiroka. Kjo festë mbledh bashkë si katolikët, ashtu edhe myslimanët e zonës, duke u kthyer në një moment të rëndësishëm bashkimi shpirtëror.

Gjatë celebrimit të meshës së shenjtë, arqipeshkvi Giovanni Peragine ndali vëmendjen tek mesazhet që përcjell kjo ditë e veçantë.

Për banorët e zonës, kjo festë nuk është vetëm një rit fetar, por edhe një lidhje e veçantë shpirtërore me vendin dhe traditën. Pas përfundimit të meshës së shenjtë, të pranishmit morën pjesë në procesion.

Shën Rroku është një nga shenjtorët më të njohur që nga Mesjeta, i cili njihet si mbrojtës nga murtaja dhe sëmundjet infektive. Legjenda e lidh ngushtë edhe me Shqipërinë, pasi thuhet se ai ka kaluar në Shirokë, ku deri vonë ruhej një man, që sipas rrëfimit popullor, kishte mbirë nga pema që vetë shenjti kishte mbjellë.