Kur afrohet te Kisha e Madhe, çdo vizitor ndjen nevojën të ngadalësojë ritmin. Është një thirrje e brendshme për t’u përgatitur shpirtërisht para hyrjes në këtë tempull, ku gjurmët e mjeshtrit Kolë Idromeno janë të pranishme në çdo detaj. Kanë kaluar 165 vjet nga lindja e këtij gjeniu të artit dhe arkitekturës shqiptare, fryma e të cilit ende e “pushton” Shkodrën nga një cep në tjetrin.

Kisha e Madhe, e ndodhur pranë Pjacës, është një nga veprat më të rëndësishme të tij, që ngjan në formë me trupin e Katedrales së Parisit. Tavani i gdhendur në dru nga Idromeno është një “muzikë pa zë”, një simfoni e ngurtësuar në art. Edhe altari kryesor dhe shtatoret e kishës, pjesërisht të humbura gjatë komunizmit, mbanin vulën e mjeshtrit. Afresket dhe zbukurimet, të realizuara me një finesë të rrallë, dëshmojnë për talentin e tij të shumëanshëm.

Nga urbanizimi te arkitektura karakteristike

Kolë Idromeno nuk ishte vetëm piktor, por edhe urbanist e arkitekt që la gjurmë të pashlyeshme në fizionominë e Shkodrës. Ai projektoi rrugën “Dugajtë e Reja” dhe rreth 100 ndërtesa të tjera të qytetit, përfshirë banesa karakteristike, godina publike dhe komplekse arkitekturore. Kafja e Madhe dhe Pjaca janë dy nga veprat simbol të tij, ku ndërthuren tradita e ndërtimit qytetar me elemente evropiane, ballkone të punuara me kujdes, fasada të dekoruara dhe dritare me grila.

Falë punës së tij, Shkodra e pas vitit 1905 mori një pamje evropiane që mahniste vizitorët e huaj, duke u bërë një qytet me identitet të fortë kulturor e urbanistik.

Artist i gjithanshëm

I lindur më 15 gusht 1860, Idromeno ishte piktor, fotograf, skenograf, muzikant dhe kompozitor këngësh shkodrane, por mbi të gjitha një arkitekt dhe urbanist i jashtëzakonshëm. Më 2 shkurt 1883, ai realizoi portretin e motrës së tij “Motra Tone”, të njohur si “Mona Liza” e Shqipërisë, vepër që shënoi portretin e parë psikologjik e social në pikturën realiste shqiptare. Një tjetër kryevepër, “Dasma shkodrane”, është më shumë se një tablo: ajo është një enciklopedi e gjallë e traditës, elegancës dhe shpirtit të qytetit.

Trashëgimi e përjetshme

Idromeno mbetet figura që i dha Shkodrës një fizionomi të qartë urbane dhe një profil kulturor të pakrahasueshëm. Siç shprehej vetë:

“Shkodra nuk asht medjemadhe, asht vajzë e llastueme prej dashnisë t’gjithkujt…”

Sot e kësaj dite, veprat e tij vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kujtojnë se arti dhe arkitektura e vërtetë nuk njohin kohë.