Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, përmes presidentit të saj, Dom Gjergj Meta, ka reaguar ashpër ndaj situatës së rëndë të zjarreve që po përfshijnë disa zona të vendit, duke i cilësuar ato si një krim të rëndë që po rrezikon jetën e banorëve, banesat e tyre, si dhe florën e faunën e pasur të maleve dhe pyjeve.
Në deklaratë thuhet se këto zjarrvënie, në pjesën më të madhe të rasteve, janë të qëllimshme dhe përbëjnë jo vetëm një shkelje të ligjit, por edhe një mëkat të rëndë përpara Zotit. “Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar”, thekson Dom Meta, duke nënvizuar se shkatërrimi i natyrës është njëkohësisht edhe shkatërrim i së ardhmes së brezave që do të vijnë.
Kreu i KISH bën thirrje të fuqishme që përgjegjësit të ndalojnë menjëherë, duke iu drejtuar me fjalët: “Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj”. Ai paralajmëron se të gjithë, si autorët ashtu edhe nxitësit, një ditë do të japin llogari para Zotit për dëmin e shkaktuar. Në të njëjtën kohë, Dom Meta u bën apel institucioneve shtetërore që të mos tregojnë neglizhencë, por të rrisin masat për ruajtjen e pyjeve, të forcojnë strukturat për ndërhyrje dhe të pajisin ato me mjete moderne, në mënyrë që përballja me situata të tilla të jetë më efikase.
Ai vlerëson lartë të gjithë ata që po punojnë pa u lodhur për të shuar flakët, duke shprehur mirënjohje dhe bekim për ta. “Zoti bekoftë çdokënd që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit dhe qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët”, thuhet në deklaratë. Dom Meta e mbyll mesazhin me urimin që këto fjalë të dëgjohen dhe që të gjithë të kultivojnë dashuri dhe kujdes për Shqipërinë, të cilën e kemi të shtrenjtë dhe duhet ta mbrojmë.
