Letërsia e diasporës shqiptare mbetet një pasuri e veçantë për kulturën kombëtare, duke ruajtur rrënjët e vendlindjes dhe njëkohësisht duke u pasuruar me elemente të reja nga kulturat ku jetojnë autorët. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Zija Vukaj, thotë se krijuesit shqiptarë jashtë vendit mbartin gjithmonë në veprat e tyre motivet, temat dhe frymën e trojeve nga ku vijnë, duke i shkrirë këto me përvojat dhe realitetet e reja që i rrethojnë.

Sipas tij, kjo ndërthurje e bën letërsinë e diasporës më të pasur në raport me krijimtarinë që zhvillohet në vend, pasi ofron një këndvështrim më të gjerë, të ndikuar nga përplasja dhe bashkëjetesa e kulturave. 

Vukaj thekson se autorët e diasporës jo vetëm e ruajnë identitetin letrar shqiptar, por edhe e çojnë atë përpara, duke sjellë risi në stil, gjuhë dhe tematikë.

Ai nënvizon se kjo krijimtari është një pasqyrë e gjallë e jetës shqiptare në mërgim, e cila meriton më shumë vëmendje, promovim dhe bashkëpunim me autorët që jetojnë e krijojnë në Shqipëri.