Kimete Limani, një nga përfitueset e grantit për të rinjtë nga Bashkia Shkodër, ka realizuar ëndrrën e saj duke hapur një studio kreative që ofron shërbime në fushën e logo design, branding dhe promovimit të bizneseve e aktiviteteve, jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjerë.
Falë mbështetjes së marrë, ajo tashmë ka një hapësirë të dedikuar ku materializon idetë dhe projektet e saj, duke e kthyer pasionin në profesion.
Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e shoqëruar nga stafi, vizitoi studion për të parë nga afër ecurinë e saj dhe për të inkurajuar iniciativa të ngjashme, të cilat sipas saj fuqizojnë të rinjtë dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale.
Ky është një shembull konkret se si mbështetja e duhur mund t’i japë të rinjve mundësinë të sjellin ide të reja dhe energji pozitive në qytet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sipërmarrjes dhe inovacionit.
