Qafa e Predelecit në Kelmend u mbush me ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive, teksa u zhvillua manifestimi tradicional “Logu i Bjeshkëve”, një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të Malësisë së Madhe. Ngjarja u nderua me praninë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj
Qindra vizitorë nga trevat shqiptare dhe diaspora u mblodhën për të ndjekur nga afër garën e bukurisë tradicionale “Miss Bjeshka”, ku vajzat e veshura me xhubletën e mbrojtur nga UNESCO, shpalosën hijeshinë dhe krenarinë e trashëgimisë kulturore të zonës. Programi artistik u pasurua me performanca nga këngëtarët e njohur të muzikës popullore si dhe me interpretimin artistik të aktorit të mirënjohur Çun Lajçi.
Juria e këtij viti drejtohej nga regjisori Kiço Londo. Titulli “Miss Bjeshka 2025”, shkoi për vajzën me origjinë nga Vukli i Kelmendit, por e lindur e rritur në Itali, Aurora Lulaj.
Manifestimi i nisur në vitin 1998 vazhdon të mbetet një simbol i krenarisë malësore, ku vallja, kënga, humori dhe mikpritja ndërthuren për të sjellë një festë që bën bashkë shqiptarë nga çdo trevë.
Historia e Logut të Bjeshkëve
Manifestim kulturor që zhvillohet çdo vit që nga viti 1998 në të shtunën e dytë të muajit gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit. Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo, vishej, sillej, ecte, këndonte.
Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar. Ajo zhvillohej ditën e Shna Prendes. Në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marrë emrin “Logu i Bjeshkëve”. Në këtë manifestim vajzat e Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë për t’u njohur me veshjet tradicionale, këngët dhe vallet e Kelmendit.
Në këtë eveniment marrin pjesë gra dhe vajza nga gjithë krahinat shqiptare të malësisë nga Komuna Kelmend, Plava, Gucia, Vuthaj, Rugova, diaspora, etj. Secila trevë përfaqësohet me veshjen e vet popullore karakteristike. Mosha e vajzave pjesëmarrëse është nga 15-25 vjeçe. Organizohet nga Bashkia Malësi e Madhe. Çdo vit marrin pjesë ansambli artistik i Kelmendit dhe këngëtarë e humoristë të ftuar. Kjo festë me veshjen, me xhubletën karakteristike, krehjen e veçantë të flokëve të grave, të afron me traditën. Evenimentet kanë qenë të shoqëruar me program artistik, këngë e valle të malësisë. Disa herë veprimtaria është mbajtur edhe në malësitë e Tuzit.
