Është hapur zyrtarisht tenderi për projektin madhor të rikualifikimit të hyrjes Shirokë–Shkodër, i prezantuar fillimisht gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Investimi, me një fond limit prej 374 milionë lekësh (rreth 3.7 milionë euro), synon transformimin e plotë të kësaj zone, duke e kthyer në një hapësirë moderne dhe atraktive për banorët e vizitorët.

Projekti përfshin sistemimin pedonal përgjatë lumit Buna, krijimin e shëtitoreve të reja për ecje dhe çiklizëm, ndërtimin e një shtegu shkallare drejt malit të Taraboshit që do të përfundojë në një ballkon panoramik, si dhe hapësira rekreative pranë urës së këmbësorëve mbi Bunë.

Po ashtu, parashikohet rikualifikimi i “Ballinës ujore” në një atraksion turistik ikonik dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, me dy korsi për automjete, korsi të dedikuara për biçikleta dhe trotuare moderne.

Ky projekt pritet të kthehet në një pol të ri turistik për veriun e vendit, duke rritur potencialin ekonomik dhe duke përforcuar imazhin e Shkodrës si një qytet modern e mikpritës, me trashëgimi të pasur historike.