Në fillim të viteve ’80 të shek. XIX, muzikanti i ri shkodran Palokë Kurti ishte një nga emrat më të njohur të kohës. Përveç angazhimeve të tij artistike, ai punonte edhe si mësues i pianos në familje të pasura të qytetit. Në një nga këto shtëpi madhështore, të rrethuar me mure të larta dhe një lulishtë të rrallë, ai njohu një vajzë të bukur, bijë e asaj familjeje.
Orët e mësimit u shndërruan shpejt në momente pritjeje të ëmbël për dy të rinjtë. Paloka e ndiente se mes tyre po lindte diçka e veçantë, por frika se familja e saj nuk do ta pranonte një “mësues të thjeshtë” e pengonte të shprehej hapur. Edhe vajza, me shikime të sinqerta e plot fisnikëri, i jepte shenja afërsie, por ndjenjat mbeteshin të pashprehura.
Një ditë, gjithçka ndryshoi. Një shërbyese i hapi derën Palokës për t’i thënë se mësimet nuk do të vazhdonin më. Kjo ndarje e papritur e tronditi thellë muzikantin shkodran, i cili nuk mundi ta takonte më vajzën, e mbyllur pas mureve të larta të shtëpisë. Megjithatë, ai nuk e humbi shpresën dhe shpesh ëndërronte ta shihte sërish, madje mendonte t’i kushtonte një këngë që të shprehte dashurinë e tij.

Papritur, rasti erdhi kur një mik e ftoi të merrte pjesë në një dasmë të madhe. Paloka pranoi, pa e ditur se aty do ta priste një tronditje po aq e madhe. Në momentin që nusja hyri në sallë, ai mbeti i shtangur, ishte vajza që kishte dashuruar në heshtje. Ahengxhinjtë nisën të këndonin për bukurinë e saj, por Paloka nuk mundi të bashkohej me ta. Në vend të saj, i pushtuar nga emocionet dhe dhimbja, shpërtheu duke improvizuar vargjet që më vonë do të bëheshin kënga e famshme:
“Për mue paska kenë kismet
Me ken ti e tjera kuj
Mbasi të due, ban merhamet
Edhe mue me duej.”
Zëri i tij, i mbushur me mall dhe dhembje, tronditi të pranishmit, ndonëse askush nuk e dinte arsyen e vërtetë. Vetëm nusja e kuptoi. Teksa ai këndonte, sytë e saj filluan të ndriçonin e fytyra t’i skuqej. Kur Paloka përsëriti vargun “Ah! Si s’mbaroj…”, ajo u ndje e ligështuar dhe, e pushtuar nga emocionet, duke i rënë të fikët.
Kështu lindi një nga këngët më të ndjera të repertorit shqiptar, e cila mbeti në kujtesën e publikut jo vetëm për melodinë dhe vargjet, por edhe për historinë e dashurisë së pamundur që e frymëzoi muzikantin shkodran, Palokë Kurti.
