Nga Musa Kurtulaj

Në një skenë ku talenti shpesh ndjek modën, këngëtarja, Elvira Fjerza, ka zgjedhur të ndjekë rrënjët. Për më shumë se 10 vite karrierë artistike, me një krijimtari që përfshin afro 100 klipe muzikore, ajo ka ndërtuar një urë të fuqishme ndërmjet brezave dhe krahinave të ndryshme shqiptare, duke sjellë në vëmendje bukurinë e këngës popullore, forcën e gruas malësore dhe shpirtin kombëtar.

E thirrur nga publiku si “Princesha e këngës së Malësisë së Madhe”, Elvira Fjerza nuk është thjesht një këngëtare e zonës së saj – ajo është kthyer në një simbol të muzikës popullore të veriut, një zë që dëgjohet dhe respektohet kudo në këto treva.

Këngët e saj janë bërë kolona zanore të atmosferës në dasma, festa familjare, tubime kulturore dhe skena të mëdha. Në repertorin e saj gjejmë këngë që janë tashmë pjesë e kujtesës kolektive:
🎵 “Sot marton motra një vëlla”,
🎵 “S’ka si vajzat e Malësisë”,
🎵 “Vëlla, shpirti i motrës”,
🎵 “Dashuria don guxim”,
🎵 “Kam mbushë 200 muaj”,
🎵 “Dashuria na shkoi huq”,
🎵 “Kur s’ke mend, nuk ke as fat”, si dhe këngë që përcjellin krenarinë për vendlindjen, si më e fundit:
🎵 “Vajzë Shkreliane”, një himn për figurën vajzës së Skrelit, bijë e malit dhe krenarisë.

Elvira Fjerza ka ditur të ruajë edhe kujtesën historike përmes muzikës. Këngët e saj kushtuar figurave kombëtare si Dedë Gjon Lulit apo të kreshnikëve si Ago Imerit, por edhe një sërë këngësh kushtuar Kosovës, i japin kontributit të saj një dimension mbarëkombëtar. Me emocione të thella e respekt të madh, ajo ka kënduar për sakrificat dhe qëndresën e Kosovës, duke fituar zemrat e publikut kosovar dhe më gjerë.

Përmes potpurive të saj të dasmave, Elvira kthehet në protagoniste të gëzimeve, duke ndezur atmosferën në çdo dasmë ku këndon. Publiku i saj nuk kufizohet më vetëm në Malësinë e Madhe, zëri i saj dëgjohet dhe mirëpritet: në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në trevat shqiptare të Malit të Zi: Ulqin, Plavë, Guci, Vuthaj. Tuz, e deri në diasporën shqiptare në Zvicër, Gjermani, Austri, SHBA, Angli, Kanada etj.

Në çdo vend ku ka shqiptarë, kënga e Elvira Fjerezës sjell mall, gëzim dhe identitet.Pas një dekade në skenë dhe me afro 100 klipe në repertor, Elvira Fjerza mbetet një nga zërat më të fuqishëm dhe më të dashur të muzikës popullore në trevat veriore të shqiptarisë. Një artiste që i ka qëndruar besnike vendit, vlerave dhe vetes. Një princeshë e këngës, kurora e së cilës është vetë dashuria e publikut.