Prej më shumë se një dekade, emri i Astrit Fanit lidhet ngushtë me Arkivin e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Ndonëse është edhe një aktor me cilësi të spikatura, Fani e ka zhvendosur vëmendjen e tij te misioni për të ruajtur kujtesën artistike të qytetit, përmes dokumenteve, fotografive, afisheve dhe materialeve të tjera arkivore që mbajnë gjallë emrat dhe veprat e figurave të mëdha të skenës shqiptare.

Në një kohë kur rrjetet sociale janë kthyer në mjet të rëndësishëm për promovimin e artit dhe kulturës, Astriti ka sjellë herë pas here në vëmendje materiale të rralla nga arkivi.

Arkivi kërkon një përkujdesje të vazhdueshme. Me qëllim përmbushjen e misionit të tij dhe konservimin afatgjatë të materialeve, ai shpreh nevojën për digjitalizimin e arkivit. Astrit Fani mbetet një model përkushtimi dhe respekti për kujtesën kolektive që Teatri “Migjeni” ka prodhuar ndër vite.