Në historinë e fotografisë shqiptare, emri i Shan Picit zë një vend të veçantë. I lindur në Shkodër në vitin 1904, ai i përket brezit të atyre mjeshtërve që i dhanë jetë fotografisë shqiptare në periudhën më të vështirë të zhvillimit të saj.
Pas përfundimit të shkollës fillore, për arsye ekonomike, Shani filloi si shegert në studion e famshme fotografike “Marubbi”, ku mësoi bazat e zanatit. Në vitin 1924, ai hapi studion e vet me emrin “Fotografia Pici”, e vendosur në një dhomë me ndriçim natyral nga dritaret dhe baxha në çati, siç ishte praktika e asaj kohe.
Në vitet kur fotot realizoheshin vetëm bardh e zi dhe shfrytëzohej vetëm drita e diellit, Shan Pici spikati për mjeshtërinë dhe pasionin e tij, duke u renditur përkrah emrave të mëdhenj të fotografisë si Marubët, Jakovët e Raboshtët.

70,000 negativë në një jetë të tërë
Me një krijimtari që zgjati mbi 50 vjet (1924–1976), Shan Pici la pas një arkiv me mbi 70,000 pllaka filmi dhe negative, ku ruhen imazhe të jetës shqiptare, portrete, peizazhe dhe ngjarje historike.
Ndër fotografitë më të rëndësishme janë: festimi në Tiranë i 25-vjetorit të Pavarësisë nën praninë e Mbretit Zog I, portrete të familjes mbretërore, pajisja me pasaporta e qytetarëve të zonës së Mirditës etj.
Fotografi i parë shqiptar i turizmit
Duke udhëtuar në zona si Malësia e Madhe, Tropoja, Kukësi, Puka dhe Mirdita, Pici ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme të peizazheve veriore shqiptare. Pikërisht për këtë kontribut, ai konsiderohet si fotografi i parë shqiptar i fotografisë turistike.
Shpesh është quajtur edhe si fotografi i popullit, pasi në koleksionin e tij ruhen qindra imazhe që pasqyrojnë jetën reale, kronikën e përditshme, varfërinë dhe pabarazitë sociale të kohës.
Fotoreporteri i parë sportiv
Shan Pici ishte gjithashtu i pari që realizoi fotografi të rrethit të parë çiklistik në Shqipëri, duke merituar titullin fotoreporter sportiv pionier në vend.
Trashëgimia e tij mbetet një pasuri kombëtare, një arkiv vizual që dëshmon historinë, kulturën dhe shpirtin e një populli në lëvizje.
