Nisma qeveritare “Paketa e Maleve”, e prezantuar së fundmi me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik në zonat malore të Shqipërisë, ka marrë një jehonë të gjerë në të gjithë vendin, duke tërhequr interesin e mijëra qytetarëve, fermerëve dhe sipërmarrësve.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Median dhe Informacionin (MIA), deri tani janë regjistruar 3308 aplikime në rang kombëtar. Në krye të listës qëndron Qarku i Shkodrës me 687 aplikime, ndjekur nga Vlora me 378 dhe Elbasani me 348.

Aplikimet do të mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, ndërsa 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira fiskale për një periudhë 10-vjeçare, në kuadër të stimulimit të investimeve të hershme e të qëndrueshme.
“Paketa e Maleve” është pjesë e një strategjie të gjerë për të kthyer zonat malore në burime të qëndrueshme të të ardhurave, përmes zhvillimit të turizmit, agropërpunimit, bujqësisë dhe blegtorisë. Njëkohësisht, kjo nismë synon të frenojë fenomenin e braktisjes së zonave të thella, duke krijuar kushte të favorshme për rikthimin e emigrantëve dhe për investimet vendase.
Ky reagim i lartë ndaj thirrjes për aplikime konfirmon potencialin e zonave malore dhe gatishmërinë e qytetarëve për të investuar në zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.
