Bashkia Shkodër ka vijuar me thirrjen për edicionin e ardhshëm të Festivalit Muzikor “Luleborë”, duke ftuar kompozitorë, tekstshkrues, këngëtarë dhe grupe muzikore të paraqesin krijimet e tyre më të reja. Afati i fundit për dorëzimin e materialeve është data 15 gusht 2025.

Sipas njoftimit, festivali do të mirëpresë këngë të papublikuara më parë, të shoqëruara me arranxhimin muzikor dhe zërin e interpretuesit (demo përfundimtare), si dhe me dokumentacionin përkatës: partitura me akorde, tekstin dhe emrin e këngëtarit.

Këngët mund të dorëzohen fizikisht pranë Zyrës së Protokollit/Arkivës në Bashkinë e Shkodrës, ose me email në adresën: kultura@bashkiashkoder.gov.al. Formati i pranueshëm për materialet është CD, MP3 ose WAV.

Kufizime:

Çdo autor muzike mund të paraqesë vetëm 1 këngë. Autorët e tekstit mund të dorëzojnë maksimumi 2 tekste. Këngët e publikuara më parë nuk do të pranohen.

Ky festival synon të nxisë krijimtarinë origjinale shqiptare dhe t’i japë skenës muzikore vendase një frymë të re, përmes talenteve të reja dhe emrave të njohur të muzikës.

“Luleborë 2025” pritet të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për Shkodrën dhe jo vetëm, duke promovuar muzikën e re dhe vlerat artistike të qytetit dhe përtej.

Edicioni i nëntë i festivalit “Luleborë” kurorëzoi si fituese baladën “Nuk lulëzon pa Zot” të kantautores Ana Bushgjokaj.