Kafja e Madhe njihet si simboli i kryeqendrës së veriut, Shkodrës. Ky vend ishte për dekada me radhë shtëpia e elitës shkodrane. Një ndërtesë madhështore për Shkodrën, me një stil austro-hungarez, Kafja e Madhe ishte pikë takimi e shkrimtarëve, emrave të njohur të artit, muzikantëve dhe shumë qytetarëve shkodranë. 

Ajo ishte një vend luksi në Shkodrën e fillimshekullit XX ku organizoheshin teatro, ballo dhe luhej muzikë moderne. Për diplomatët ishte vendi i vetëm ku ata mund të ndiheshin si në perëndim, në një vend që kishte qenë nën sundimin otoman për pesë shekuj.

Kafja e Madhe, një dhuratë që piktori Kolë Idromeno i la vendlindjes së tij, nuk diti ta ruante lavdinë e dikurshme. Ndërtesa ishte aq e njohur sa që austriakët, në vitin 1914, pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina.