Muaji gusht pritet ta gjallërojë edhe më shumë jetën kulturore dhe turistike në Shkodër. Koncerte, ekspozita, festivale dhe aktivitete në natyrë do të jenë pjesë e axhendës verore për vendasit dhe vizitorët.
Vera do të vijojë të ketë ngjyra kulture në kryeqendrën e veriut, referuar programit të publikuar në kalendarin e eventeve TEA.
Në qendër të vëmendjes janë koncertet e verës në shesh, të cilat vijojnë të mbledhin publikun me performanca të artistëve të njohur të skenës shqiptare. Mbrëmjet e gushtit do të ndizen nga tingujt e muzikës live, duke e kthyer zemrën e qytetit në një hapësirë argëtimi për të gjitha moshat.
Një tjetër atraksion për dashamirësit e artit vizual janë ekspozitat. Në Muzeun Kombëtar “Marubi” është e hapur për vizitorët ekspozita me fotografi të Pazarit të Vjetër të Shkodrës, një dëshmi e gjallë e trashëgimisë historike të qytetit. Ndërkohë, në Galerinë e Arteve, vizitorët mund të shijojnë një ndërthurje mes veprave të piktorëve shkodranë të hershëm dhe atyre bashkëkohorë.
Gushti sjell edhe një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare për qytetin: edicioni i 16-të i Shkodra Jazz Festival, i cili do të mbahet nga data 11 deri më 31 gusht. Një seri koncertesh me pjesëmarrjen e muzikantëve të njohur nga Shqipëria dhe jashtë saj, do t’i japin një dimension të veçantë artistik netëve verore, qytetit.
Po ashtu, kalendari përfshin edhe aktivitete të shumta që promovojnë resurset natyrore të Shkodrës, si liqeni, malet përreth, zonat rurale dhe lagunat, duke ndërthurur turizmin me edukimin dhe ruajtjen e mjedisit.
Shkodra vijon të mbetet një nga destinacionet më të gjalla të verës ku kultura, natyra dhe argëtimi bashkohen në një përvojë unike.
