Tashmë në Shqipëri, braktisja apo keqtrajtimi i një kafshe mund të çojë në burg deri në tre vjet, sipas draftit të ri të Kodit Penal, i cili ndodhet aktualisht në fazë konsultimi publik. Ky draft përfshin për herë të parë një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke propozuar masa ndëshkuese të ashpra për çdo akt dhune apo neglizhence ndaj tyre.

Braktisja e kafshës, vepër penale

Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe nga personi përgjegjës për të, veçanërisht kur kjo ndodh në rrethana që rrezikojnë jetën apo shëndetin e kafshës, konsiderohet vepër penale. Dënimi për këtë shkelje parashikon gjobë ose burgim deri në 3 vjet.

Keqtrajtimi i kafshëve shtëpiake

Neni 943 parashikon ndëshkime për dëmtimin fizik apo psikologjik të kafshëve shtëpiake ose të zbutura, përfshirë edhe aktet me natyrë seksuale, që lënë pasoja të kërkuara për trajtim veterinar. Në këto raste, autori përballet me gjobë ose burgim deri në tre vjet.

Nëse kafsha ngordh si pasojë e këtij keqtrajtimi, dënimi rritet deri në 50%. Për kafshët vertebrore jo shtëpiake, vepra konsiderohet kundërvajtje penale, me ndëshkim më të lehtë: gjobë ose deri në 3 muaj burg.

Kafsha jashtë kontrollit? Dënim deri në 6 muaj burg

Sipas nenit 945, mbajtja e kafshëve pa kontroll në hapësira publike sidomos qenve pa maskë ose pa masat e duhura të sigurisë është një tjetër shkelje që mund të ndëshkohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg.

Nëse mungesa e kontrollit çon në lëndim të rëndë ose humbje jete të një personi, dënimi ashpërsohet ndjeshëm.

Luftimet e kafshëve dhe bastet, të ndëshkueshme

Neni 946 ndalon çdo formë të luftimeve ndërmjet kafshëve, duke parashikuar gjobë ose burg deri në 3 muaj për organizatorët dhe drejtuesit.

Për ata që stërvitin kafshët për qëllime lufte, i shesin për këtë qëllim ose vendosin baste mbi to, dënimi mund të arrijë deri në 6 muaj burg.

Mizoria përbën rrethanë rënduese

Sipas nenit 947, çdo akt dhune ndaj kafshëve që kryhet me mizori, egërsi apo përfitim financiar dënohet më rëndë. Dënimi rritet me 50% edhe kur përdoren mjete të rrezikshme, vepra ndodh në prani të fëmijëve, ose kur është shpërndarë në rrjete sociale.

Ky kapitull i ri i propozuar në Kodin Penal përfaqëson një qasje moderne dhe humane për mbrojtjen e kafshëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat e një shoqërie gjithnjë e më të ndjeshme ndaj të drejtave të kafshëve.

Drafti është aktualisht i hapur për konsultim publik dhe pritet të ngjallë debate të gjera në opinionin shqiptar.