Për herë të parë në Shkodër u organizua Seminari Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë. Me një pjesëmarrje prej rreth 250 mësuesish nga diaspora, tema kryesore e edicionit të XVIII ishte “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në epokën digjitale”.

Aktiviteti i rëndësishëm kombëtar u zhvillua nën kujdesin e veçantë të dy Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si mikpritës dhe partner i përmbajtjes shkencore. Në ceremoninë e hapjes, përshëndeti të pranishmit edhe zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza.

Programi i ditës së parë përfshiu edhe një aktivitet artistik nga Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija”, ndërsa në ditët në vijim do të mbahen sesione shkencore me kumtesa të pedagogëve dhe studiuesve nga trevat shqiptare dhe diaspora.