Bashkia Shkodër ka nisur një fazë të re investimesh të rëndësishme në dy prej institucioneve më përfaqësuese të jetës kulturore në qytet: Teatrin “Migjeni” dhe Kinemanë “Republika”. Objektivi i këtyre ndërhyrjeve është modernizimi i infrastrukturës dhe përmirësimi i kushteve teknike, duke krijuar hapësira më funksionale dhe të denja për zhvillimin e aktiviteteve artistike.

Në Kinema “Republika”, rikthyer në pronësi publike që prej dy vitesh, po finalizohet një rikonstruksion i plotë që përfshin instalimin e teknologjisë së fundit për projektimin filmik dhe sistemin audio. Kapaciteti i ri teknik do ta shndërrojë kinemanë në një nga sallat më moderne të vendit, e gatshme për të transmetuar edhe premiera ndërkombëtare.

Ndërkohë, në Teatrin “Migjeni” janë duke u zhvilluar punime që konsistojnë në përmirësimin e sistemit të kondicionimit, infrastrukturës së brendshme dhe ambienteve të shërbimit, me synimin për të rritur cilësinë e përvojës së spektatorëve dhe artistëve.

Kalendari artistik i qytetit pritet të rifillojë në mesin e muajit shtator, ku Teatri “Migjeni” dhe Kinema “Republika” do të hapin dyert për publikun në ambiente të rikualifikuara, moderne dhe komode gati për të mirëpritur artin në nivelet që Shkodra meriton.