Në hollin e Teatrit “Migjeni” në Shkodër qëndron e ekspozuar një veshje që nuk është thjesht kostum skenik por një fragment i gjallë i historisë së teatrit shqiptar. Bëhet fjalë për kostumin origjinal që ka veshur aktori i shquar Zef Jubani në rolin e Harpagonit, në komedinë “Kopraci” të Molierit, vënë në skenë në shkurt të vitit 1952.

Roli i Harpagonit mbetet kulmi i karrierës së artistit që nga një aktor amator, u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të skenës shkodrane dhe shqiptare. Performanca e tij në “Kopraci” i dha teatrit një model interpretimi që ruhet si referencë edhe sot, mbi shtatë dekada më vonë.

Kostumi përbëhet nga elementë të punuar me kujdes, që pasqyronin jo vetëm epokën e Molierit, por edhe stilin e përpunuar të karakterit që Jubani solli në skenë: një koprac i dhënë pas parasë, me lëvizje të matura dhe një plastikë fizike të ndërgjegjshme shoqëruar me parukën e tij.

“Kopraci” u shfaq plot 67 herë për publikun, me mbi 23 mijë spektatorë, një shifër mbresëlënëse për kohën. Ky sukses e shndërroi Harpagonin e Jubanit në një legjendë skenike, ndërsa kostumi i tij sot mbetet dëshmia më e prekshme e atij suksesi.

Kush ishte Zef Jubani?

Aktor, “Artist i Popullit”. Lindi në Shkodër. Ka kryer shkollën tregtare dhe gjatë viteve 1927-1928 vazhdon Gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1931-1932 vazhdon shkollën ushtarake të plotësimit në Tiranë në armën e artilerisë. Në vitin 1936 punon si llogaritar në Agjensinë e Lundrimeve “Adriatica” në Shkodër ku qëndron deri më 1942. Më vonë do të kalonte llogaritar në një fabrikë private alkoli, ku qëndroi deri në shtetëzimin e fabrikës më 1947. Mbas 1947 kalon në Ndërmarrjen Shtetërore të Grumbullimit, ku organizon teatrin diletant. Në dhjetor të 1949 transferohet në Teatrin Profesionist të Shkodrës që sapo ishte krijuar, me detyrën e llogaritarit.

Më pas aktivizohet si aktor deri më 1958 kur vdiq. Aktivitetin artistik e fillon shumë herët si aktor, kur në vitin 1925 luan në dramën “Një familje fatosash”, për të vazhduar tek drama “Kostandini i madh”, “Kshtjelli i kusarëve”, “Konti i Drishtit”, në dramën romantike “Lundërtari i mortjes”, komedinë “Dredhitë e Patukut”. Në vitin 1947, pranë Ndërmarrjes së Grumbullimit do të aktivizohet në komedinë “Fejesa” të Anton Çehovit, “Vneshta e Arsenit”.

Në Shtëpinë e Kulturës aktivizohet në dramatizimin dhe inskenimin e “Dasmës shkodrane” të Andrea Skanjetit, “Ishulli i Paqes” të I. Petrovit. Si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës realizoi një varg rolesh, ndër të cilat spikasin: ai i Harpagonit (1952) në komedinë “Kopraci” të Molierit. Talenti i madh i Zef Jubanit me “Kopracin” e Molierit, tregoi traditën tonë skenike, si vazhdues dhe përfaqësues i komedianëve që kishin luajtur herët në shoqëritë kulturore artistike të Shkodrës. Kështu, ai jep një ndihmesë të çmueshme në hedhjen e urës mes trashëgimisë së kaluar e punës së re profesionale në teatrin realist pas luftës. 

Roli i Harpagonit ishte përmbledhja e një përvoje të gjatë jetësore, prej një vrojtuesi të zellshëm me shpirt artisti, mjeshtëria e elementëve të ndryshëm të karakterit të kopracit. Ai hyri me këtë rol si një aktor i vogël dhe doli prej saj si një aktor brilant i papërsëritshëm. Kjo shfaqje pati një jehonë të madhe në vend ku përveç provës gjenerale u përsërit edhe 67 herë të tjera. Atë e ndoqën mbi 23 700 spektatorë, me një mesatare prej 350 spektatorësh për shfaqje. Me rolin e Tuç Makut në dramën “Toka e jonë” (1954) e K. Jakovës, ai interpretoi me talent e mjeshtëri artistike duke e skalitur këtë figurë në mënyrën më organike dhe reale. 

Luajti edhe role të tjera, si figura e Kuliginit në dramën e A. N. Ostrovskit “Shtrëngata” (1956), Vuksan Gjoni në “Shtatë shaljanët” (1958) të Ndrekë Lucës, duke e mbyllur me rolin e fundit, Kristo Sheshi, tek “Banuesit e shkallës nr. 6” të Kin Dushit. Lec Shllaku ka shkruar monografinë “Zef Jubani – Artist i Popullit”, ribotuar më 2004. Këshilli Bashkiak Shkodër, më 2008, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”.

Në shtëpinë-muze të familjes Jubani

Në familjen Jubani ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të “Artistit të Popullit”, Zef Jubani (1910-1958) që realizoi një varg rolesh, ndër të cilat spikasin, ai i Harpagonit (1952) në komedinë “Kopraci” të Molierit. Talenti i madh i Zef Jubanit me “Kopracin” e Molierit, tregoi traditën tonë skenike. Ai ishte vazhdues dhe përfaqësues i komedianëve që kishin luajtur herët në shoqëritë kulturore artistike të Shkodrës. Në shtëpinë muze ndodhen trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e veçanta që i përkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në Teatrin “Migjeni”, rolin e Harpagonit si dhe titulli “Artist i Popullit”, i shoqëruar me medaljen përkatëse.