Biçikleta “mbërriti” në tokën shqiptare në vitin 1907, më shumë se një shekull përpara. Thuhet se në Shkodër u pa të lëvizte rrugëve të saj, me kalldrëm e me pluhur, një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë deri në atë kohë. Ky burrë ishte konsulli i nderit i Suedisë. Asokohe, ishte biçikleta e parë në qytet, të gjithë donin të shihnin atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.
Pastaj u pëlqeu edhe të tjerëve dhe në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkuar rrugët me këtë mjet. Për të qeshur? Jo! A kapen hajdutët me biçikletë?!
Pas kësaj, biçikletat në Shkodër u shtuan shumë dhe disa adhurues në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Evropë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është krijuar në Shkodër.

Para viteve 1930, biçikletat përdoreshin vetëm nga burrat. Asokohe, gazetat shkruanin: “Zonja Miçi, e shoqja e Sokrat Shkrelit, pronarit të Grand Hotelit, doli me biçikletë duke bërë xhiro nëpër Shkodër e duke thyer tabutë”. Çudia ishte se edhe femrat ngisnin biçikletën.
Kot nuk e quajnë “qyteti i biçikletave”. Edhe sot në Shkodër ka më shumë biçikleta se në çdo qytet tjetër.
