Teatri “Migjeni” dhe komuniteti artistik i Shkodrës kanë humbur një nga figurat më të rëndësishme të tyre. Regjisorja dhe aktorja Violeta Sekuj u nda nga jeta pak ditë më parë në Massachusetts të SHBA-së, në moshën 94-vjeçare.

E lindur më 1 mars 1931 në Tiranë, me origjinë nga Korça, ajo ishte aktorja e parë me shkollë profesionale dhe regjisorja e parë grua në teatrin “Migjeni”.
Në kujtim të saj, aktori Agron Dizdari dhe aktorja Merita Smaja ndanë emocionet dhe vlerësimet për bashkëpunimin me të, duke e cilësuar si një artiste të rrallë, të përkushtuar dhe me shpirt të ndritshëm.
Violeta Sekuj ishte bashkëshortja e regjisorit Paulin Sekuj, themelues i Estradës Profesioniste në Shkodër. Karriera e saj numëron mbi 60 role dhe 15 shfaqje si regjisore, përfshirë “Gjaku i arbërit”, “Djali plangprishës”, “Zekthi”,, “Prefekti”, “Nora” etj.
Kush ishte Violeta Sekuj?
Aktore, regjisore. Lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Korça. Mbaron Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë për art dramatik dhe emërohet aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, si një nga kuadrot e para të artit që lëviznin jashtë qytetit. Martesa me regjisorin e Estradës, Paulin Sekuj e çon më tej rrjedhën e jetës së saj artistike në Shkodër.
E fillon jetën aktoriale me një rol episodik, atë të Hanës në dramën e Kolë Jakovës “Agimi” për ta vazhduar karrierën duke luajtur afro 60 role, ku dallohet ai i Anikës tek “Djali plangprishës”, Xhemën tek “Zekthi”, Gjelinën tek “Fisheku në pajë”, gjyshen tek “S’ndalet lumi me gardh”, Zonja e Madhe tek “Gjaku i arbërit”, etj. Një punë shumë të madhe do të bëhë Violeta si regjisore. Ajo është regjisorja e parë femër e skenës shkodrane. Vuri në skenë disa pjesë si: dramat “Nora”, “Komunistja 15-vjeçare”, “Sinjalet e natës”, “Djemtë e mbarë”, komeditë “Prefekti”, “Dhëndri” etj.
Ka vënë në skenë shumë festivale lokale dhe kombëtare të pionierëve. Ka punuar për disa koncerte simfonike dhe vokale të Shtëpisë së Kulturës, të drejtuara nga Prenkë Jakova. Ka bashkëpunuar dhe ndihmuar në regjisurë grupet amatore të qytetit, të disa ndërmarrjeve, që në shumë olimpiada teatrale do zinin vende të para.
Skeda e roleve të artistes bazuar në statistikat e Teatrit “Migjeni”



