Në prag të sfidës së kthimit ndaj Vikingurit në Rejkjavik, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Konferencës, ish-mbrojtësi shkodran, Edmond Doçi, gjatë një intervistë për RTSH ndan pritshmëritë e tij për këtë përballje vendimtare për Vllazninë.
Pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”, Doçi e konsideron ekipin islandez si një kundërshtar të fortë, por thekson se kuqeblutë kanë shanset e tyre.
Ish-futbollisti shton se përqendrimi maksimal dhe ruajtja e ekuilibrave do të jenë vendimtare në përballjen e së enjtes. Një tjetër avantazh i kuqebluve sipas tij është morali i lartë pas dy fitoreve radhazi në Evropë.
Ndeshja Vikingur-Vllaznia do të luhet më 31 korrik në orën 20:45, në stadiumin e kryeqytetit islandez, Rejkjavik.
Kuqeblutë do të kërkojnë të ruajnë avantazhin minimal për të siguruar kalimin në turin tjetër të Ligës së Konferencës, në një përballje që pritet me interes të madh nga tifozët shkodranë dhe gjithë opinioni sportiv.
