Sot, më 30 korrik, bota kremton Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë, një nismë e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2011, me besimin se miqësia mes popujve, kulturave dhe individëve është një instrument i fuqishëm për paqen, solidaritetin dhe mirëkuptimin global.

Në dokumentin themelues, OKB-ja e përshkruan miqësinë si një “ndjenjë fisnike dhe të çmuar në jetën e njerëzve”, ndërsa fton qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile që në këtë ditë të ndërmarrin iniciativa që ndërtojnë ura dialogu dhe pajtimi mes qytetërimeve.

Në një kohë përçarjesh të thella globale, kjo ditë nuk është vetëm simbolike, por thelbësore. Thirrja për miqësi është një ftesë për të besuar në një të ardhme më të mirë, ku ndryshimet nuk krijojnë ndarje, por mundësi për afrim dhe bashkëpunim.

“Përmes miqësisë, ne nuk përballemi vetëm me botën ashtu siç është, por fillojmë ta formojmë botën ashtu siç do të donim të ishte” – ky është mesazhi që sot shkon përtej kufijve, gjuhëve e dallimeve.

Në Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë, le të kujtojmë se çdo gjest mirëkuptimi e afërsie ndërton një botë më të bashkuar.