Një vit përpara se të ndërronte jetë, në vitin 1996, studiuesi, filozofi dhe disidenti i njohur Arshi Pipa i dhuroi Shkodrës një nga pasuritë më të çmuara të jetës së tij: bibliotekën personale. Sot, ajo ruhet në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, si një thesar me vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe shkencore.
Fondi ndahet në dy degë kryesore: Albanologji dhe Filozofi, ndërsa përfshin edhe koleksione të plota të revistave më të njohura shqiptare të kohës. Interesi për këtë fond nga studiues të ndryshëm vendas dhe të huaj ka qenë i vazhdueshëm ndër vite, çka dëshmon rëndësinë e trashëgimisë që ka lënë pas Pipa.
Arshi Pipa (1920–1997) ishte një nga figurat më të ndritura të mendimit shqiptar të shekullit XX. Përndjekur nga regjimi komunist, ai e zhvilloi aktivitetin e tij shkencor dhe letrar në SHBA, ku dha mësim në disa universitete të njohura dhe botoi vepra të shumta për gjuhën, letërsinë dhe filozofinë.
Biblioteka e tij sot është jo vetëm një pasuri për Shkodrën, por një burim i rëndësishëm për këdo që kërkon të zbulojë më shumë mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
