Shfaqja gjithnjë e më e gjerë e inteligjencës artificiale në jetën e përditshme po ndikon ndjeshëm edhe në procesin e edukimit, veçanërisht në radhët e të rinjve dhe universiteteve. Në këtë kontekst, zëvendësrektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. Eliana Laçej, thekson se përfshirja e inteligjencës artificiale në kurrikulat akademike është një hap pozitiv dhe i domosdoshëm në epokën dixhitale.
Megjithatë, Laçej apelon që përdorimi i saj nga studentët të bëhet me kujdes dhe etikë profesionale, për të shmangur deformimin e procesit të të mësuarit dhe plagjiaturën.
Universiteti i Shkodrës është duke hartuar politika të reja për të rregulluar përdorimin e mjeteve me inteligjencë artificiale në auditore dhe në detyra akademike, duke ruajtur standardet shkencore dhe integritetin pedagogjik.
