Me hidhërim të thellë është pritur lajmi i ndarjes nga jeta të artistes së madhe të skenës shqiptare, Violeta Sekuj, e cila u shua më 23 korrik 2025 në Massachusetts të SHBA-së, në moshën 94-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri të ditur faqja e Teatrit “Migjeni” përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Emër i respektuar i teatrit “Migjeni” në Shkodër, Violeta Sekuj ishte një figurë emblematike e artit skenik shqiptar. E lindur në Korçë më 1 mars 1931, ajo nisi karrierën artistike në mesin e viteve ‘50 dhe u bë aktorja e parë me arsim profesional dhe regjisorja e parë grua në teatrin e Shkodrës.
Me dhjetëra role të spikatura në teatër dhe kinematografi, Violeta u identifikua për korrektësinë, kreativitetin dhe shpirtin që i fali çdo personazhi. Ajo u ngjit për herë të parë në skenë në vitin 1955 me rolin në “Shërbëtori i dy zotnive” dhe vazhdoi me pjesë të rëndësishme si “Djali plangprishës”, “Nora”, “Çifti i lumtur”, “Gjaku i Arbrit” etj. Në kinematografi ajo interpretoi në filma të njohur si “Fundi i një gjakmarrje”, “Militanti” dhe “Flutura në kabinën time”.

Si regjisore në teatrin “Migjeni”, Violeta Sekuj vuri në skenë 15 shfaqje, duke përfshirë “Prefekti”, “Nora”, “Djem të mbarë”, “Kaçakët” dhe shumë të tjera, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e skenës profesioniste në Shkodër.
Gjatë jetës së saj, ajo punoi përkrah gjigandëve të skenës shqiptare si Zef Jubani, Tinka Kurti, Vitore Nino, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Ndrek Prela, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja dhe shumë të tjerë.
Violeta ishte gjithashtu bashkëshortja e regjisorit të njohur Paulin Sekuj, themelues i Estradës Profesioniste të Teatrit “Migjeni”.
Në këtë moment të dhimbshëm, komuniteti artistik dhe qytetarët e Shkodrës i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Sekuj.
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!
