Pedonalja “Kolë Idromeno” ishte skena finale e Festivalit të Muzikës Moderne, që për katër netë me radhë gjallëroi rrugët dhe sheshet në Shkodër dhe Tiranë. Edicioni i tetë u mbyll mes duartrokitjesh dhe entuziazmit të qindra pjesëmarrësve që ndoqën natën e fundit në një nga ambientet më të veçanta të qytetit.
Atmosferën festive e solli formacioni muzikor “Big Band Shkodra” në bashkëpunim me artistët pjesëmarrës, të cilët i shtuan gjallërinë mbrëmjes artistike.
Organizatori Gjon Shllaku vlerëson rritjen cilësore dhe risitë që solli ky edicion. Drejtori organizativ, Dritan Mlika veçon artistët e rinj, të cilët sipas tij i dhanë festivalit freski dhe energji.
Ky edicion, i mbështetur nga MEKI, Bashkia Shkodër dhe Bashkia Tiranë, konfirmoi edhe një herë pozicionin e Festivalit të Muzikës Moderne si një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës kulturore në kryeqendrën e veriut.
