Mbrëmja e së enjtes shënoi hapjen zyrtare të edicionit të nëntë të “Za Fest”. Nata e parë eventit të mbështetur nga Bashkia e Shkodrës dhe institucione të tjera prej vitesh u zhvillua në ambientin e hapur të Muzeut Historik të qytetit, duke ofruar një kombinim të pasur aktivitetesh artistike.

Pjesë e programit ishte edhe shfaqja e dokumentarit “Udha”, me protagonistë Arbër Agalliun dhe Lorik Canën, një rrëfim vizual i lidhur me identitetin, udhëtimin dhe përkatësinë në zonat e arbëreshëve të Italisë. Në hapësirat e muzeut u çel gjithashtu një ekspozitë, ndërsa mbrëmja vijoi me një koncert muzikor nga këngëtari Petrit Çarkaxhiu, që solli emocione për publikun e pranishëm.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përshëndeti organizimin e këtij eventi artistik.

“Ndjej kënaqësi të veçantë që gjendem midis jush në Shkodër. Vlerat që përçon ky eveniment janë të njëjta me ato që ka edhe Bashkimi Evropian, vlera si: mosdiskriminimi, barazia, gjithëpërfshirja etj. Trashëgimia e Shqipërisë është pjesë e kulturës evropiane. Kjo merr një kuptim të madh duke parë sa shpejt po përparon Shqipëria me negociatat në Bashkimin Evropian,” u shpreh ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Organizatorja Dojna Mema foli mbi rëndësinë që ky festival ka marrë ndër vite.

Pas Muzeut Historik, festivali do të zhvendoset në kalanë Rozafa, ku do të vijojë për dy netët në vijim me muzikë dhe art vizual.