Shkodra po jeton ditë të veçanta muzikore falë edicionit të tetë të Festivalit të Muzikës Moderne, i cili po sjell jo vetëm performanca të gjalla dhe artistë të njohur, por edhe një frymë të re për qytetin, duke e shndërruar atë në një qendër të vibrimeve moderne artistike.

Konsulenti artistik, Ergys Pirani, thekson se ky aktivitet është më shumë se një festë muzikore, për një qytet me rrënjë të thella si Shkodra.

Në netët e festivalit janë përfshirë koncerte të stilizuara, Big Band-i me emra të njohur të skenës, por edhe surpriza që sjellin një kombinim të muzikës moderne me elemente të traditës vendase.

Mbrëmjen e kaluar, festivali u zhvendos përkohësisht në kryeqytet, duke shpërndarë atmosferën dhe vlerat e tij edhe për publikun në Tiranë. Ndërsa dy netët e fundit do të rikthehen sërish në Shkodër, ku rrugët e qytetit do të shndërrohen në skena të hapura për artistët dhe artdashësit.