Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përjashtimin e gazetarit Ergys Kavaja nga ndjekja e ndeshjes ndërkombëtare “Vikingur-Vllaznia”, zhvilluar më 24 korrik, duke e cilësuar këtë veprim si diskriminues, përjashtues dhe hakmarrës.
Sipas deklaratës zyrtare, gazetarit Kavaja iu mohua akreditimi pa asnjë bazë ligjore, në kundërshtim me rregullat sportive dhe me motive personale. AGSH thekson se kjo ndodhi pasi Kavaja kishte raportuar më herët për përplasjen mes klubit Vllaznia dhe Bashkisë Shkodër lidhur me çështjen e stadiumit.
Në reagimin e saj, AGSH shprehet se nga korrespondenca mes gazetarit dhe klubit, si dhe nga dëshmitë e kolegëve të tjerë, del qartë se vendimi për mosakreditimin ishte një akt personal i presidentit të klubit, Alban Xhaferi, dhe jo rezultat i ndonjë shkeljeje nga gazetari:
“Kolegu i përmbushte të gjitha kushtet për t’u akredituar dhe nuk kishte shkelur asnjë rregull gjatë pranive të mëparshme në aktivitetet e klubit.”
Asociacioni bën thirrje për ndalimin e praktikave përjashtuese dhe penguese ndaj gazetarëve, duke i cilësuar ato si të rrezikshme për lirinë e medias.
Në përfundim, AGSH inkurajon Ergys Kavajën dhe çdo gazetar tjetër që përballet me arbitraritet në terrenet sportive, të denoncojnë raste të tilla, ndërsa vetë Asociacioni do të ndjekë këtë rast në rrjetet dhe kanalet institucionale, për të garantuar të drejtën e informimit dhe të raportimit të lirë.
Rasti pritet të hapë debat në opinionin publik dhe mes aktorëve të sportit dhe medias, për sa kohë që liria e shtypit dhe transparenca institucionale mbeten në qendër të vëmendjes.
