Një mbrëmje plot ndjesi dhe finesë muzikore u organizua nga Famullia “Zoja e Shkodrës” mbrëmjen e së mërkurës. Katër instrumentistë të mirënjohur interpretuan vepra të përzgjedhura të kompozitorëve vendas dhe botërorë.

Pianisti Amir Xhakoviç, violinistja Nevila Kalaja-Herczegh, violisti Besnik Yzeiri dhe violonçelisti Gjorgj Krroqi formuan kuartetin që solli një performancë të nivelit të lartë artistik, në një koncert që u mirëprit ngrohtësisht nga publiku artdashës.

Koncerti i zhvilluar në sallën “Kardinal Mikel Koliqi” dëshmoi edhe një herë se muzika klasike zë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit të Shkodrës.