Kjo e mërkurë shënoi ditën e tretë të aksionit për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Gjatë ditës së sotme, Policia Bashkiake ka ndërhyrë në mënyrë të plotë përgjatë rrugës “Studenti” dhe sheshit “Demokracia”, duke liruar trotuaret e zëna nga struktura të vendosura pa leje.

Në këtë segment janë shembur disa objekte që kishin uzurpuar hapësira publike, duke penguar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe aksesin në zona të banuara. Për subjektet që nuk kanë zbatuar afatin 5-ditor të njoftimit për largimin vullnetar të këtyre strukturave, janë vendosur penalitete administrative.

Policia Bashkiake njofton se aksioni do të vijojë në ditët në vijim, sipas një plani të mirëpërcaktuar, me synim kthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve dhe rritjen e sigurisë urbane.