Shkodra është zgjuar më e trishtë nga lajmi i ndarjes nga jeta të Aleks Dushit, një prej figurave më të dashura të qytetit. Lajmin e bëri publik bija e tij, Ledia Dushi, përmes rrjeteve sociale.

Me mbi 40 vite kontribut në arsim si mësues matematike dhe historie, Aleks Dushi ishte i njohur për përkushtimin ndaj dijes, pasionin për natyrën dhe disiplinën e përditshme që e karakterizonte.

Njihej si një njeri energjik, që përshkonte me biçikletë dhjetëra kilometra çdo ditë, ose ngjitej në mal me miqtë e klubit “Taraboshi”. Presidentja e këtij klubi, Lindita Haxhija, e kujton me emocion si një mik të çmuar dhe dashamirës të natyrës.

Aleks Dushi la gjurmë edhe në jetën sindikale, si një nga drejtuesit e parë të BSPSH dhe SPASH në Shkodër.

Lamtumirë Aleks Dushi, njeriu model i qytetarisë!