Një ditë para startit zyrtar të edicionit të 8-të të Festivalit të Muzikës Moderne në Shkodër, organizatorët zhvilluan një konferencë për mediat për të ndarë detaje rreth risive të këtij eventi që po kthehet në një traditë verore për qytetin.
Drejtori artistik Gjon Shllaku dhe muzikanti Markelian Kapidani theksuan se ky edicion do të vijë më i pasur në përbërje artistike dhe organizative, me një formacion të veçantë Big Band, që përfshin emra të njohur të muzikës shqiptare dhe instrumentistë të nivelit të lartë.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe blogeri italian Lupo Segreto, i cili do të dokumentojë dhe promovojë atmosferën e festivalit. Festivali i Muzikës Moderne ka si mision të ruajë dhe përçojë vlerat e muzikës moderne tek brezi i ri. Ai do të mbahet nga data 23 deri më 26 korrik në Shkodër e Tiranë.
