Në ambjentet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” u zhvillua një mbrëmje letrare me titullin “Me pendlat e korbit të bardhë”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe albanologjisë shqiptare, Martin Camaj.

Ky aktivitet nderues për jetën dhe veprën e Camajt, mblodhi bashkë studiues, shkrimtarë, aktorë dhe dashamirës të fjalës së shkruar, në një atmosferë reflektimi poetik dhe kujtese historike.

Disa nga aktorët e Teatrit “Migjeni” interpretuan me ndjeshmëri fragmente nga veprat e shkrimtarit të shquar.

Martin Camaj, i lindur më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit, është konsideruar si përfaqësuesi më i rëndësishëm i postmodernizmit shqiptar në letërsi, ndërkohë që ka drejtuar për dekada katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut. Edhe pse jetoi larg atdheut, Camaj mbeti gjithnjë i lidhur me rrënjët gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë.