Studimet botërore tregojnë se në stinën e verës, përveç rritjes së temperaturave, vërehet edhe një shtim i tensioneve, në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet në çift. Vera shpesh shndërrohet në një periudhë “testi emocional” për lidhjet romantike.

Sipas psikologes Loreta Tomaj, fakti që çiftet kalojnë më shumë kohë bashkë gjatë pushimeve verore shpesh çon në përplasje që në kushte normale shmangen nga rutina. Respektimi i nevojës për hapësirë personale është këshilla kryesore e psikologes.

Në mungesë të statistikave të detajuara për vendin tonë, të dhënat ndërkombëtare hedhin dritë mbi fenomenin. Një studim i Universitetit të Uashingtonit tregon se kërkesat për divorc rriten ndjeshëm në muajt pas verës dhe festave dimërore, me kulme në gusht dhe mars. Kjo lidhet pikërisht me periudhat e pushimeve, kur çiftet shpresojnë për ripërtritje të marrëdhënies, por përballen me zhgënjime të papritura.