Vetëm dy muaj pas triumfit në skenën e Eurovizionit, ku u renditën në vendin e 8-të, grupi “Shkodra Elektronike” u rikthye para publikut vendas me një koncert spektakolar në sheshin para Bashkisë Shkodër.
Ndonëse i parashikuar të niste në orën 20:00, koncerti mori jetë rreth orës 21:30, duke mbledhur një numër të madh adhuruesish të muzikës elektronike dhe nostalgjikë të hiteve të këtij grupi që prej vitesh ka sjellë risi në skenën muzikore shqiptare.
Duoja karizmatike Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca dhuruan më shumë se një orë e gjysmë emocion me performanca live, duke përfshirë disa nga këngët më të njohura të albumit “Shndrit”, si dhe këngë që janë bërë himne të brezit të ri, përfshirë “Zjerm”, që ndezi atmosferën në kulmin e mbrëmjes.
Përveç repertorit të njohur, “Shkodra Elektronike” surprizoi me disa këngë të reja, të cilat do të publikohen së shpejti dhe që u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm nga publiku.
Ky ishte koncerti i dytë i grupit në këtë hapësirë ikonike të qytetit pas atij të majit 2022, duke e kthyer sheshin para Bashkisë në një skenë natyrale për tingujt modernë të një prej grupeve më të dashur të momentit në Shqipëri.
