Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka njoftuar ndarjen nga jeta të pedagoges së njohur të Fakultetit Ekonomik, Albana Kullolli (Kastrati).
E diplomuar në vitin 2004 në degën Financë-Kontabilitet, Albana nisi menjëherë karrierën si pedagoge në të njëjtin fakultet, duke dhënë një kontribut të vyer në përgatitjen akademike dhe profesionale të shumë brezave studentësh.
Ajo përfundoi studimet master në “Kontabilitet” në Universitetin e Tiranës në vitin 2008 dhe në vitin 2017 mbrojti gradën “Doktor i Shkencave”. Gjatë gjithë karrierës së saj, u dallua për përkushtimin, profesionalizmin dhe pjesëmarrjen në aktivitete shkencore. Ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme në Shoqatën e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, ku mbante rolin e kryetares për degën e Shkodrës.
Universiteti e kujton Albanën si një pedagoge të shkëlqyer, kolege të dashur dhe njeri me vlera të larta njerëzore.
