Fahri Djepaxhija, pak ditë më parë botoi një libër të rrallë me mbi 500 këngë të ahengut shkodran, fryt i dekadave me përkushtim, dashuri dhe kërkim të palodhur.

Ka punuar prej një jete si mekanik në Uzinën e Telave dhe Kabllove Elektrike të Shkodrës, por nuk i është ndarë kurrë pasionit për muzikën dhe librat.

Në shtëpinë e tij, që është kthyer në një arkiv të vogël kulturor, janë xhiruar videoklipe nga emra të njohur si Shyqyri Alushi e Agim Molla. Aty gjenden objekte të vjetra të koleksionuara me përkushtim, CD me rreth 1700 këngë shkodrane, si dhe një bllok shënimesh ku për secilën këngë janë shkruar me kaligrafinë e tij detaje të hollësishme.

Në mesin e dorëshkrimeve, bie në sy edhe një fjalor i këngëve dhe valleve shkodrane, një punë e madhe e pashpërblyer, e cila për mungesë mbështetjeje nuk ka mundur të botohet. “Më duhet një grup pune”, thotë ai me modesti, ndërsa vazhdon të dokumentojë e të arkivojë pa ndalur.

Fahri Djepaxhija përfaqëson më së miri shpirtin e qytetarisë shkodrane. Ai meriton vlerësimin dhe përkrahjen e institucioneve, sepse puna e tij përbën një thesar për gjithë qytetin dhe brezat që do të vijnë.