Jemi në zemër të verës dhe pushimet, për shumëkënd, janë një periudhë relaksi. Por, ndërsa shkollat janë mbyllur dhe rutina e përditshme ndryshon, jo të gjithë e përballojnë këtë periudhë në mënyrën më të mirë.
Psikologët flasin për ndikimin që kanë pushimet verore sidomos tek fëmijët, adoleshentët dhe familjet kur mungon një strukturë e përditshme dhe aktiviteti fizik zëvendësohet nga ekranet.
Ditët e para të pushimeve verore karakterizohen nga një gjendje letargjike që ndikon në cilësinë e gjumit dhe aktivitetit fizik. Tek fëmijët dhe adoleshentët vërehet një shtim i qëndrimit para ekranit, që lidhet me pasivitet dhe izolim social në disa raste.
Në raste të tilla, prindërit kanë në dorë zgjidhjen e problemit duke i nxitur fëmijët të jenë aktivë edhe gjatë stinës së nxehtë. Një verë e organizuar mirë duket se është çelësi për një rifillim të shëndetshëm në shtator.
