Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit të Shkodrës, ndodhet një plazh i vogël që po kthehet në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj. I rrethuar nga gjelbërimi dhe i rrethuar nga ujërat e pastra të Bunës, ky plazh ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.
Për banorët vendas, ky është një rikthim nostalgjik te verat e dikurshme, kur noti në lumin e fshatit ishte një pjesë e pandashme e jetës verore. Kohët e fundit, kjo perlë e natyrës është “zbuluar” edhe nga turistët e huaj.
“Jam nga Malta. Është hera e dytë që vij. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi shqiptarë. Më pëlqen natyra dhe temperaturat këtu, që janë shumë më të përshtatshme se ato në vendin tim. Do të qëndroj dy javë dhe pastaj do të vizitoj pjesën veriore të Shqipërisë. Është një vend fantastik,” shprehet një turiste malteze.
Edhe vizitorë të tjerë ndajnë të njëjtin entuziazëm:
“Jam nga Spanja. Më pëlqen shumë këtu plazhi, uji është i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padel.”
Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale. Plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.
