Nga data 5 deri më 13 korrik 2025, qyteti i Shkodrës është kthyer në një qendër të basketbollit europian, duke pritur me sukses Kampionatin Europian për grupmoshën U-16. Veç rëndësisë sportive, ky aktivitet solli edhe një promovim të jashtëzakonshëm për kulturën, mikpritjen dhe turizmin shkodran.
Franko Bushati, sekretar i Federatës Shqiptare të Basketbollit, u shpreh se mikpritja dhe organizimi në Shkodër ishin në nivele shumë të larta.
Renato Radoja, një nga emrat legjendarë të basketbollit shqiptar, e cilësoi kampionatin si një moment të rëndësishëm për të gjithë të apasionuarit pas këtij sporti.
Për delegacionet e huaja, kjo eksperiencë ishte më shumë se sportive, ishte një udhëtim kulturor dhe njerëzor i paharrueshëm:
Albert Torres, shefi i delegacionit të Andorrës:
“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi në Shkodër. Vizituam Kalanë dhe ishte shumë e bukur. Është hera e parë që vijmë këtu dhe do donim të rikthehemi.”
Karl Abou Khalil, shefi i delegacionit të Luksemburgut:
“Qëndrimi në Shkodër ka qenë fantastik. Kalaja, Velipoja, hoteli, ushqimi dhe sidomos njerëzit shumë miqësorë. Kjo është një përvojë që nuk do ta harrojmë. E rekomandojmë Shkodrën për sport dhe turizëm.”
Edhe gazetari i njohur Saimir Kodra u shpreh i mahnitur nga atmosfera dhe përvoja në Shkodër, duke theksuar organizimin dhe energjinë pozitive që ofron qyteti.
Ky kampionat nuk ishte vetëm një sfidë mes skuadrave, por një dritare e hapur për të treguar vlerat më të mira që Shkodra ofron: mikpritje, pasion dhe kulturë.
