Jak Vuksani, inxhinier ndërtimi, lindi në Shkodër ku mbaroi shkollën e mesme. Në vitin 1966 kryen Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega “Ndërtim”. Pas përfundimit të studimeve, punon në ndërtimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës nga 1966-1972. Gjatë misionit, merr pjesë në zbatimin e punimeve të kësaj vepre të madhe si: sallë kompresorësh, stacion pompash, ujësjellës, rezervuar, hapje tunel devijimi Zadeja (faza e parë dhe faza e dytë), ndërtim pritash provizore për devijimin e lumit Drin, ndërtim pritash me gabion, hapje galerish, punime definitive në digën e Zadejës në biefin e sipërm.
Po ashtu, gjatë kësaj kohe, Vuksani ka projektuar dhe zbatuar ndërtesën e Hidrocentralit në fshatin Shllak, montimin e një ure beli 40 m gjatësi mbi kanalin e Qyrsaqit. Ai ka punuar në degën teknike të Qyrsaqit për marrjen në dorëzim të punimeve të betonit.
Gjithë kjo eksperiencë pune i ka hapur rrugën për të dhënë mësim në Filialin e Universitetit të Tiranës në Shkodër nga 1971-1972. Nga 1972-1978 ka punuar në Hidrocentralin e Fierzës, në degën “Paga e Norma” dhe degën e planit. Nga 1978 deri më 1993 ka punuar në Ndërmarrjen e Ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, në zyrën e planit të kantierit nr. 1, përgjegjës sektori në qytet, inxhinier zbatimi në ndërtim banesash të ndryshme deri në 5 kate, montim ndërtesa parafabrikat deri në 6 kate, objekte industriale, oxhak industrial deri 40 m lartësi, rrugë, depo etj.
Inxhinier Jak Vuksani ka projektuar skela metalike për vendosje vinçi, urë me hapësirë drite deri në 50 m tip “pasarel” mbi lumin Kir në fshatin Prekal të Shkodrës. Gjatë punës në këtë ndërmarrje ka qenë për 6 vite kontrollor cilësie në ndërtim e prodhim.
Nga 1993 ka punuar në profesion të lirë privat në projektim e zbatim ndërtesash, në ndërtesa industriale, godina banimi 6-10 kate. Nga viti 1995 ushtron detyrën e drejtuesit teknik në Shoqërinë e Ndërtimit NN “Z.K Shkodra”.
