Në brigjet piktoreske të Liqenit të Shkodrës, vetëm pak kilometra nga qyteti, ndodhet Zogaj, një fshat i vogël e i qetë që këtë verë po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Me natyrë të paprekur, shtëpi karakteristike buzë ujit dhe mikpritje tradicionale, Zogaj po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara për ata që kërkojnë relaks dhe largësi nga ritmi i përditshëm.
Bukuria e veçantë e këtij fshati shtrihet në kontrastin harmonik mes liqenit dhe malit të Taraboshit, duke ofruar mundësi për shëtitje, eksplorim, not dhe udhëtime me varkë. Turistë nga vende të ndryshme të botës e kanë përfshirë tashmë Zogajn në itineraret e tyre.
“Jemi nga Belgjika dhe është hera jonë e parë në Shqipëri. Zgjodhëm këtë vend për natyrën, qetësinë dhe pamjet e mrekullueshme që ofron. Kemi parë zogj, peshq dhe shumë bukuri natyrore. Është pikërisht ajo çka kërkonim për pushimet tona,” thotë një çift belg që po qëndron disa ditë në Zogaj.
Nga ana tjetër, dy vajza nga Kanadaja ndajnë përvojën e tyre: “Jemi nga Montreali dhe do qëndrojmë këtu për dy ditë. Na ka pëlqyer shumë liqeni, temperatura, perëndimi, dhe mbi të gjitha njerëzit. Është një vend i veçantë.”
Aktualisht, turizmi në Zogaj zhvillohet përmes bujtinave dhe dhomave të ofruara nga banorët, duke ruajtur lidhjen autentike me jetën rurale shqiptare. Ndërkohë, infrastruktura rrugore drejt këtij fshati po përmirësohet dhe pritet që gjatë sezonit të ardhshëm aksi Shirokë–Zogaj të jetë plotësisht i investuar, çka do e bëjë zonën më të aksesueshme për turizmin ditor dhe familjar.
Zogaj mbetet një thesar natyror dhe kulturor në zemër të Shkodrës, me potencial për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, pa humbur identitetin që e bën kaq tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota.
