Çdo vit, mijëra pushues nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni zgjedhin bregdetin e Velipojës për të shijuar natyrën, ushqimin tradicional dhe mikpritjen që e karakterizon këtë perlë të Adriatikut. Edhe këtë sezon veror, Velipoja po mirëpret vizitorë të shumtë, por tashmë me përmirësime të dukshme në infrastrukturë dhe shërbime.
Bashkia Shkodër ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme për të rritur aksesin publik në plazh, duke vendosur 34 parcela publike përgjatë vijës bregdetare, të cilat mund të përdoren falas nga qytetarët. Kjo ka gjetur mbështetje dhe vlerësim nga pushuesit, të cilët theksojnë se kjo rrit ndjeshëm mundësinë për të shijuar bregdetin pa kosto shtesë.
“Është një iniciativë shumë e mirë, sepse jo të gjithë kanë mundësi të marrin çadra me qira. Tani mund të vijmë me familjen dhe të vendosemi lirshëm në zonat publike,” shprehet një pushuese nga Tirana.
“E frekuentoj Velipojën prej vitesh dhe këtë sezon e ndjej më të rregullt, më të pastër, dhe më mikpritëse se kurrë,” shton një tjetër pushues nga Kosova.
Ndërkohë, përfundimi i rrugës panoramike Shëngjin–Velipojë ka shtuar edhe më shumë vlera turistike për këtë zonë, duke e bërë më të aksesueshme dhe të lidhur me rrjetin turistik të gjithë veriut të Shqipërisë. Kjo rrugë është kthyer në një atraksion më vete, falë pamjeve mbresëlënëse përgjatë bregdetit.
Që prej muajit qershor, Velipoja ka njohur një rritje të dukshme të numrit të vizitorëve, si dhe të rezervimeve në hotele, bujtina dhe struktura pritëse të zonës. Të gjitha këto zhvillime po e kthejnë Velipojën në një destinacion kryesor të turizmit veror shqiptar, ku natyra, shërbimi dhe mikpritja kombinohen në mënyrë harmonike.
