“Turizëm përmes tingujve” ishte aktiviteti që solli gjallëri në rrugën pedonale të Shkodrës, ku Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të Shqipërisë performoi mes qytetarëve dhe turistëve që shëtisnin në zemër të qytetit.

Nën drejtimin e dirigjentit Altin Babameto, orkestra u bë pjesë e një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes që synon të sjellë pikëtakime kulturore në qytetet turistike të vendit, përmes muzikës dhe frymës festive.

Përveç parakalimit në rrugën pedonale, Orkestra Frymore ndaloi edhe përpara godinës së Bashkisë së Shkodrës, ku performoi disa pjesë muzikore duke krijuar një moment të veçantë për qytetarët dhe vizitorët që e ndoqën me entuziazëm.

Ky aktivitet jo vetëm që promovon turizmin, por edhe forcon lidhjen mes qytetarëve dhe institucioneve, përmes artit si gjuhë universale.