Në hollin e Radio Shkodrës, u mbajt këtë të enjtë ceremonia mortore në nderim të Dashamir Dinit, gazetarit dhe drejtuesit të mirënjohur, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në Bergamo të Italisë pas një sëmundjeje të rëndë.

Të afërm, kolegë, miq dhe drejtues të institucioneve i dhanë lamtumirën e fundit njeriut që për 22 vite kontribuoi me përkushtim dhe profesionalizëm në Radio Shkodra ku shërbeu si gazetar, kryeredaktor dhe dy herë si drejtor në periudhën 2000-2003 dhe më pas 2017-2021.

Në këtë ambient simbolik, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës profesionale, nuk munguan emocionet dhe fjalët e ndjera. Në përfundim të ceremonisë, arkëmorti u përcoll për në varrezat publike të Shkodrës, aty ku do të prehet mes njerëzve që e deshën dhe e vlerësuan.

Radio Shkodra humbi një zë. Shkodra humbi një njeri të mirë. Gazetaria humbi një profesionist të rrallë.