“Poetika e veprës letrare të Ridvan Dibrës” u titullua kështu konferenca shkencore, e organizuar nga Departamenti i Letërsisë i Fakultetit të Shkencave Shoqërore pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Në këtë aktivitet u trajtuan aspekte të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit Ridvan Dibra, një prej zërave më origjinalë të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Vetë shkrimtari Ridvan Dibra falënderoi organizatorët dhe studiuesit për vlerësimet dhe analizat e thelluara mbi veprën e tij letrare, duke theksuar rolin që ka universiteti në nxitjen e leximit dhe mendimit kritik.
Në dy sesione paralele, studiues dhe pedagogë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi trajtuan tema që lidhen me figurën e shkrimtarit, strukturën postmoderne të romaneve të tij, raportin me mitin, psikologjinë e personazheve dhe eksperimentimin gjuhësor.
